Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi. mori pjesë sot në konferencën me temë: “Promovimi i fuqizimit të rinisë në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca e zhvilluar në Durrës u organizua nga grupi i Aleancës progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Të pranishëm ishin dhe zv. presidentët e grupit S&D, Victor Boştinaru e Tanja Fajon, eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Tonino Picula, si dhe kreu i parlamentit dhe presidenti i zgjedhur z Ilir Meta.
Qëllimi i konferencës ishte afirmimi i perspektivës europiane e rajonit të Ballkanit, dhe angazhimi i të rinjve në një dialog të hapur për të zhvilluar iniciativa të fuqizimit të tyre, për rritjen ekonomike dhe punësimin e denjë si dhe lufta kundër populizmit dhe nacionalizmit në rritje. Shqipëria është një vend i privilegjuar pasi rreth 70% e popullsisë janë të rinj, ndaj politikat për të rinjtë janë thelbësore në fushatën elektorale që po zhvillohet në vend.
Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi tha se “rinia ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e qeverisë shqiptare për faktin se jo vetëm që përballet me sfida, por sfidat e rinisë shqiptare janë sfida që janë të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës, që lidhen me procesin e përfshirjes në vendimmarrje, por edhe me punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me kalimin nga grup mosha rinore në grup moshën e të rriturve”.
Ajo shtoi se përfshirja e të rinjve në tregun e punës uli papunësinë e tyre me 5 pikë përqindje, pasi përveç përfshirjes me punësim në tregun e punës, qeveria nxiti dhe politika të vetëpunësimit, sepse programet qeverisëse mbështetën iniciativa të start-up-it të rinisë shqiptare, duke bërë të mundur që shumë të rinj të fillojnë një aktivitet biznesi për llogari personale.





