Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të ndryshojë disa nga kartëmonedhat që qarkullojnë në vend, pikë së pari duke i ndryshuar cilësinë dhe pamjen.

Banka e Shqipërisë ka vendosur që kartëmonedhat me prerje 200 dhe 500 lekëshe të ndryshojnë plotësisht. 

Së dyti Këshilli Mbikqyrës ka vendosur gjithashtu që prerjet e tjera të kartëmonedhave të rinovohen në cilësinë e letrës dhe në atë të sigurisë, por ndryshimet nuk do të jetë të mëdha krahasuar me dy kartëmonedhat 200 dhe 500 lekë.

Ja çfarë shkruan në njoftimin e saj Banka e Shqipërisë:

Miratimin e konfigurimit të serisë së re të kartëmonedhave të qarkullimit

Si emetuesja e vetme e monedhës kombëtare dhe bazuar në objektivat e strategjisë së zhvillimit institucional, Banka e Shqipërisë kujdeset vazhdimisht që struktura dhe cilësia e parasë në qarkullim të plotësojë në mënyrë dinamike nevojat e tregut, duke u përshtatur me evoluimin e fuqisë blerëse dhe teknologjisë së qarkullimit.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës miratoi vizatimet e përmirësuara të kartëmonedhave që janë aktualisht në qarkullim. Seria e re e kartëmonedhave do të ruajë të njëjtën tematikë si ajo aktuale, por do të vijë te publiku e përmirësuar si në pikëpamjen vizuale ashtu edhe në atë të elementeve të sigurisë.

Miratimin e shtypjes së kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me prerje 200 dhe 5000 lekë si dhe prodhimin e materialeve të printimit për kartëmonedhat 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekë.

Në bazë të këtij vendimi, do të shtypen kartëmonedhat me prerje 200 lekë dhe 5000 lekë sipas konfigurimeve të reja të rezultuara nga procesi i përmirësimit të vizatimeve dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave.

Kartëmonedhat me vizatime dhe elemente sigurie të përmirësuara, parashikohet të jenë në qarkullim, duke nisur prej fillimit të vitit 2019.