Të shtënat me armë zjarri të regjistruara mbrëmjen e sotme në qendër të Durrësit kanë alarmuar qytetarët. Dëshmitarët në vendngjarje kanë thënë se është qëlluar nga një automjet i bardhë në drejtim të bilardos, që ndodhet në bulevardin “Dyrrah”, pranë Pallatit të Kulturës.

Nuk e dihet ende kush ka qenë shënjestra e autorëve, që nga policia e Durrësit dyshohet se bëhet fjalë për një atentat.

Burime nga policia, bënë të ditur për DurrësLajm se kanë nisur hetimet për të zbardhur objektivin e atentatorëve. Policia nuk përjashton asnjë pistë, pasi shënjestër e të shtënave mund të ketë qenë ndonjë person që ka kaluar në atë zonë, plumbat mund të kenë pasur për objektiv bilardon, afër së cilës u regjistrua ngjarja e rëndë, apo dy të shoqëruarit deri tani në polici.

Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin. Deri tani, në spital nuk është paraqitur asnjë i plagosur ose i lënduar nga të shtënat me armë zjarri.

Kujtojmë se ditën e sotme, ka dëshmuar në gjykatë, e fejuara e Gaz Çollakut, që ka zbardhur momentet e fundit me të, para zhdukjes dhe vrasjes së tij, rreth një vit më parë.

Nuk dihet ende, nëse ngjarja e mbrëmjes së sotme ka lidhje me këtë ngjarje kriminale, njëri prej të dyshuarve të së cilës, Ervin Dalipaj, u ekzekutua në mes të ditës, së bashku me një shokun e tij, në autostradën Tiranë-Durrës, disa javë më parë.  

K.H.