Të shtunën, Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, shkarkoi nga detyra për përfshirje në fushatën zgjedhore të 8 zyrtarëve të lartë në varësi të tij. Ndër ta, ishte dhe drejtori i Hipotekës së Durrësit, Ani Dyrmishi.
Ky i fundit, përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se është njohur përmes medias për vendimin e ministrit, pasi nuk ka marrë ende një njoftim zyrtar.
Dyrmishi konfirmon se ka marrë pjesë në fushatë, por sipas tij, pjesëmarrja ka qenë ditën e diel, ditë pushimi.
“Të jem i sinqertë nuk do ta mendoja se e drejta për t’u organizuar, për të marrë pjesë nëpër grupime, apo aktivitete politike, që është një e drejtë themelore e sanksionuar në Kushtetutë, të më ndalohet ta ushtroj, aq më tepër ditë pushimi zyrtar, dhe për më tepër, e theksoj, që funksioni im ushtrohet në bazë të Kodit të Punës dhe jo të Nëpunësit Civil”shkruan Dyrmishi.
Në të njëjtën kohë ai thekson se do të ndjekë rrugën ligjore për kundërshtimin e urdhrit të ministrit.
Statusi i Ani Dyrmishit
Në respekt të opinionit publik, kërkoj të sqaroj vendimin e papritur të Ministrit të Drejtësisë, për largimin tim nga detyra, të cilën e mësova përmes medias, pasi ende nuk kam asnjë shkresë zyrtare.
Në lidhje me pjesëmarrjen time në fushatën e një subjekti politik, konfirmoj se është e vërtetë dhe se ka ndodhur më datë 28 maj, pasditen e ditës se dielë, ditë pushimi.
Të jem i sinqertë nuk do ta mendoja se e drejta për t’u organizuar, për të marrë pjesë nëpër grupime, apo aktivitete politike, që është një e drejtë themelore e sanksionuar në Kushtetutë, të më ndalohet ta ushtroj, aq më tepër ditë pushimi zyrtar, dhe për më tepër, e theksoj, që funksioni im ushtrohet në bazë të Kodit të Punës dhe jo të Nëpunësit Civil.
Megjithatë, ne respekt të vendimit te Ministrit te Drejtësisë do ndjek rrugën ligjore në kundërshtimin e këtij urdhri.





