Violinisti durrsak Ronald Deda është prezantuar këto ditë para publikut spanjoll me një koncert me vepra të autorëve të shekullit XVIII-IX. Artisti 18-vjeçar mbërriti në Spanjë si fitues i edicionit të 7-të të Bienales muzikore, në një seksion kushtuar talenteve të rinj nga qyteti bregdetar.

Gjatë prezantimit të tij në Spanjë violinisti i njohur Florian Vlashi, organizator i Bienales tha se “konkursi që ne zhvillojmë në Durrës që prej më shumë se 10 vitesh vetëm për talentet e Shkollës së Muzikës mundëson ftesën për fituesin në Spanjë, jo vetëm për koncert, por edhe për të njohur kulturën e një vendi”. 

Më parë kanë interpretuar para publikut spanjoll edhe nxënëset fituese Albana Karaj në violonçel dhe Kamela Haxholli në piano.

Ronald Deda i shoqëruar nga pianisti Gabriel Lopez, interpretoi në auditorin "Andres Gaos" të Konservatorit të Muzikës në La Korunja vepra nga J. S. Bach, Brahms dhe Saint Saens. Deda u duartrokit nga të pranishmit për teknikën dhe vlerat e interpretimit.

Violinisti shqiptar, nxënës në klasën e mësuesit Arben Diko, më parë është vlerësuar si solist edhe në koncertet e orkestrës së Harqeve “Aleksandër Moisiu” dhe Orkestrës simfonike “Jan Kukuzeli” të shkollës me të njejtin emër në Durrës. Djaloshi nga Durrësi kohët e fundit është pranuar të ndjekë studimet në Wayne State University Detroit, SHBA.