E hënë e mbarë në Durrës, hapja e një kalimi në nënkalimin pranë “Torrës Veneciane” ul ngarkesën e madhe në trafik.

Firma ndërtuese hapi një korsi në nënkalimin prej fundjavës së shkuar, vetëm në një krah, duke i dhënë frymëmarrje të gjithë zonës bregdetare në lagjen numër 1 në Durrës.

Këtë fillim jave, hapja e një krahu të tunelit provizorisht, ka ulur ndjeshëm ngarkesën e trafikut, duke ndihmuar të gjithë banorët në këtë rrugë.

Sipas burimeve, nga firma në nënkalim po punohet me hedhjen e asfaltit në sensin tjetër të tij. Edhe në sensin e hapur, punimet nuk kanë përfunduar dhe hapja provizore u bë për të çliruar trafikun e madh. Pasi të përfundojë sensi i kundërt, punimet do të zhvendosen në këtë krah i cili është hapur të shtunën.

Nuk dihet çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, pasi një prej këmbëve të “Velierës” bie pikërisht aty ku kanë dalë rrënojat e një objekti dhe punimet janë të bllokuara me vendim gjykate. Asnjë institucion deri tani nuk ka dhënë asnjë zgjidhje apo nëse projekti do të rishikohet për këmbët e “Velierës”.

Ndjekim pamjet e marra nga operatori ynë mëngjesin e sotëm.

K.H.