Kreu i PD-së Lulzim Basha ka çelur këtë pasdite fushatën në qytetin e Durrësit. Nga bregu i detit ku ka mbledhur demokratët durrsakë, Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama duke i kujtuar sërish debatin televiziv, për të cilin tha se ka frikë të përballet.

“Ka një javë që bën koncert variete, me batuta, me çitjane. Nuk jep llogari dhe nuk bën bilanc. Ulet mes sheshit, këndon, bërtet, fishkëllenpor nuk jep llogari. A do e durojmë edhe 3 javë me koncertin variete. Është gati të bëjë dhe vertikalen në mes të Durrësit vetëm që të mos ta pyesni ku janë vendet e punës që premtoi, ku janë taksat e ulura. Kjo është arsyeja që nuk pranon as debatin televiziv. Mos harroni 300 mijë vendet e punës që premtoi mos harroni krimin, drogën, pasigurinë. Bëhuni gati t’i jepni forcë bashkimit të gjithë Shqipërisë. A ua ka borxh durrsakëve debatin me kryetarin e opozitës, a ua ka borxh qytetarëve? Edi Rama e dëgjon këtë zë, por ka frikë të përballet me të vërtetat”, tha Basha.
“Bëhuni gati t’i jepni forcë vendimit të madh që kemi marrë së bashku. E ka marrë Shqipëria, e ka marrë Kavaja, po Durrësi e ka marrë vendimin? Durrësi e ka marrë vendimin për Republikën e Re, për ekonominë e fortë. Për një kryeministër jo të tutave të çitjaneve, jo të qejfeve. Unë premtoj se do jem kryeministër juaj, i punëve tuaja, i halleve tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Vendime të vështira na presin, për ta kthyer rrotën e ekonomisë. Jam gati të marr këto vendime, ndër të para ulja e TVSH-së, ulja e taksës së biznesit të vogël”, vijoi më tej gjatë fjalës së tij lideri demokrat.
Çelja e fushatës së PD-së në Durrës ditën e sotme, ka përkuar edhe me hapjen e nënkalimit përballë hyrjes së portit, ndërkohë që punimet në kuadër të projektit “Veliera” vazhdojnë ende me ritme të larta. Nënkalimi është hapur vetëm në njërin krah, çka synon të reduktojë trafikun e rënduar që krijohet në Durrës, sidomos gjatë stinës së verës kur numri i popullsisë gati dyfishohet me kthimin e refugjatëve. Që prej kohës që kanë filluar punimet, bllokimi në trafik në këtë zonë është kthyer në një mankth të vërtetë për drejtuesit/et e automjeteve.





