10 vjet burgim kërkon Prokuroria e Durrësit për Destan Kazinë e gjetur, sipas saj, fajtor për veprën penale “vrasje me paramendim” në tentativë. Një vit pas ngjarjes që ngriti në këmbë Policinë e Shtetit në kërkim të një 16-vjeçare, pas denoncimit të së ëmës se ajo mund të ishte viktimë e një rrëmbimi dhe trafikimi, po që rezultoi të ishte një histori dashurie, babai i vajzës rrezikon të dënohet me 10 vjet burg nga gjykata e Durrësit.

Në maj të vitit të kaluar, ai tentoi të vrasë me thikë fqinjin 30-vjeçar Vasil Zani, që e kishte ndihmuar të bijën, e shoqëruar nga i njohuri i saj në rrjetin social facebook të largohet me makinë, nga shtëpia e tyre në Sukth, drejt Plepave.

Pas dorëzimit në policinë e Sarandës, vajza deklaroi se ishte larguar nga banesa me vullnet të plotë dhe se donte të vazhdonte të jetonte me të dashurin 19-vjeçar nga Fieri në Ksamil, ku kishin marrë një banesë me qera.

Largimi pa njoftim nga shtëpia u interpretua prej saj si e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar një fejese me mblesëri që po i përgatiste familja me një djalë emigrant. 

V.Q.