285 maturantë të vitit shkollor 2016-2017 dhe 50 të mbartur nga vitet e kaluara do t’i nënshtrohen provimeve të fundvitit, në shkollën e mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo” në qytetin e Durrësit. Faza përgatitore lidhur me provimet starton që në mesin e vitit shkollor, ndërsa aktualisht na ndajnë vetëm 3 ditë nga provimi i parë i gjuhës së huaj, që do të mbahet me datë 5 qershor. Drejtori i gjimnazit, Tomorr Agalliu, shprehet se informimi i nxënësve është bërë i plotë, në prezencë edhe të prindërve të tyre, si dhe plani i këshillimit të karrierës, i cili do t’i ndihmojë ata në përzgjedhjen e universitetit.

Sipas drejtuesit të këtij institucioni, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe për të qënë gati, duke patur parasysh respektimin e rregullave.

Në një kohë që brezi i maturantëve po largohet nga kjo shkollë, janë nxënësit e 9-vjeçares, të cilët kanë nisur aplikimin e regjistrimit paraprak në gjimnaz. Ky regjistrim ka disa kritere të përcaktuar nga Drejtoria Arsimore, të cilat stafi i shkollës “Leonik Tomeo” i ka shpalosur nëpër shkollat 9-vjeçaret që ka nën juridiksion. Sipas drejtorit Agalliu, kërkesat për të qenë pjesë e shkollës janë të larta, ndërkohë që në vitin e ri shkollor 2017-2018 parashikohen të hapen 9 klasa të 10-ta, pasi aq kapacitet ka gjimnazi.

K.H.