Policia kufitare e Vlorës ka bllokuar dy mjete lundruese, njëri prej të cilëve ishte nisur nga Jala me destinacion Durrësin, ndërsa i dyti ishte nisur nga Porti i Durrësit pa certifikatë përdorimi nga policia kufitare.

Policia e Shtetit bën me dije se pranë rrugës Radhimë-Vlorë, në bregdet u konstatua një mjet lundrues tip skaf plastik me gjatësi 5.10 m dhe gjerësi 2.10 m, dhe me një motor të markës “Ervinrude” në pronësi të shtetasit F.H.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi F.H. nuk dispononte dokumentacionin përkatës për zhvendosjen e mjetit lundrues nga Jala për Durrës duke mos njoftuar autoritetet përkatëse.

Policia ka filluar procedimin penal ndaj shtetasit F.H., për veprat penale “Zotërimi dhe mbajtja”, “Ndryshimi i kushteve”, “Regjistrimi, klasifikimi, mënyra e përdorimit dhe kontrollit të mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20NT” bazuar në ligjin nr.8663, datë 18.09.2000.

Po gjatë ditës së djeshme, 1 qershor 2017, blutë sekuestruan në ujërat detare Hoxharë-Triport mjetin tip Gomone, me gjatësi 7.52 m dhe 3.08 m, me 2 motora të markës “Yamaha” në pronësi të shtetasit E.G.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se mjeti është nisur nga Porti i Durrësit pa certifikatë përdorimi nga policia kufitare.

Policia ka filluar procedimin penal në ngarkim të shtetasit E.G., për veprën penale “Mosdeklarimi i ndryshimeve”, bazuar në ligjin për mjetet lundruese.