Ujësjellës Kanalizime Durrës pritet të marrë shumë shpejt në dorëzim rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm për lagjen 13 të qytetit, atë të Plazhit zona Ura Dajlanit-Plepa në të dyja anët e rrugës. Aktualisht firma që ka fituar tenderin po punon për të bërë të gjitha lidhjet me rrjetin shpërndarës në vendet, ku janë përcaktuar kasetat e përbashkëta.

Në këto kaseta do të ketë nga 10-12 lidhje për banorët e zonës në të cilat do të instalohen matësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e 44 kasetave shpërndarëse ku më pas do të instalohen matësit e ujit, për banesat ndërsa për godinat shumëkatëshe lidhjet do të bëhen direkt në tubacion.

Projekti i hartuar nga dega teknike e Ujësjellës Kanalizime Durrës po zbatohet në terren dhe në fund të muajit qershor nis lidhja e objekteve me rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërtimi i rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm është një investim që është kryer vitin e kaluar nga Agjencia Kombëtare Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe në këtë projekt janë shtrirë 7500 metër linear tubacion i ri si dhe 108 kaseta shpërndarëse, në gjithë zonën e Plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Plepa.

Në zonën e Plazhit jetojnë 21 600 banorë rezidentë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës popullsia shtohet ndjeshëm për shkak të turistëve të shumtë që vijnë nga vendet e rajonit dhe bota. Vënia në punë e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm pritet që të përmirësojë ndjeshëm sasinë e ujit për çdo familje në këtë zonë, ndërkohë që ky rrjet pritet të garantojë furnizim të mjaftueshëm edhe për zona të ndryshme që kanë pasur probleme gjatë sezoneve të kaluara.

Me rrjetin e ri do të lidhen të gjitha banesat private, bizneset si dhe pallatet që gjenden në këtë zonë. Rrjeti i ri i furnizimit me ujë të pijshëm pritet të garantojë furnizim më të mirë në sasi dhe cilësi pasi për herë të parë zona e plazhit do të furnizohet me ujë nga depoja e re e ndërtuar në Arapaj si dhe nga linja e transmetimit në Urën e Dajlanit.

Depoja e Arapajt do të furnizohet me ujë nga vendburimi i Çermës në Lushnjë dhe për zonën e Plazhit pritet të dyfishohet sasia e ujit. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka premtuar se kjo linjë e furnizimit me ujë do të jetë gati për sezonin turistik. Sezoni turistik sapo ka filluar në zonën e Plazhit, por fluksi i turistëve pritet të nisë në fillim të muajit korrik dhe përgjatë muajt gusht. Në kushte të tilla UKD ka marrë të gjitha masat që investimi të përfundojë në kohën e duhur dhe të mos bëhet pengesë për mbarëvajtjen e sezonit turistik.