Ministria e Arsimit, tashmë nën drejtimin e ministres teknike Mirela Karabina, ka publikuar emrat e mësuesve dhe zyrtarëve të Arsimit që dyshohet se janë të përfshirë në fushatë elektorale. 

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Arsimit sqaron se ndaj personave në fjalë ka informacione që janë aktivizuar në fushatë dhe i ka paralajmëruar se janë nën monitorim për t’u vërtetuar raportimet ndaj tyre.

Njoftimi i Ministrisë së Arsimit:

Ministria e Arsimit dhe Sportit në respektim të të drejtave Kushtetuese dhe në vijim të deklaratave zyrtare te Departamentit të Administratës Publike është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore të përcaktuara për mbarëvajtjen e procesit mësimor si dhe të drejtat politike të nëpunësve civilë përgjatë fushatës zgjedhore.

Në këtë kuadër, në të gjitha takimet zyrtare me përfaqësuesit e institucioneve arsimore, autoritet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë informuar të gjitha strukturat në varësi, mbi detyrimet dhe kufizimet që nëpunësit e administratës, në veçanti, kanë për përmbushjen e kalendarit të programit mësimor dhe rregullat e sjelljes dhe të veprimtarisë së tyre brenda afateve kohorë të përcaktuar për të gjithë nëpunësit dhe drejtuesit.

Mbi bazën e informacioneve të raportuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar përfshirjen e disa drejtuesve e punonjësve arsimorënë fushatën elektorale, duke ushtruar presion në forma të ndryshme tek nxënësit dhe mësuesit dhe është duke bërë verifikimet e duhura mbi bazën e përcaktimeve ligjore,  për personat e poshtëshënuar:

Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Kurbin, znj. Majlinda Shalsi- Cara

Përgjegjës i Zyrës Arsimore, Gramsh, z. Xhevit Dermyshi  

Përgjegjës i Zyrës Arsimore, Has, z. Selman Qema

Mësuese në gjimnazin “Ibrahim Rrugova” Tiranë, znj. Arjana Metaliaj

Mësues në gjimnazin “AsimVokshi”, në Bajram Curri, z.Afrim Brahaj

Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Bulqizë znj. Bedrie Manjani e cila përveç pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore, ka bërë presion të hapur ndaj mësuesve për përfshirjen e nxënësve  në fushatë elektorale gjatë orarit mësimor (10:00 – 13:00)

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë monitorimin e të gjithë institucioneve për të garantuar respektimin e të drejtave politike të nëpunësve civilë si dhe zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Mirela KARABINA

M I N I S T Ë R