Juventus ka arritur të përmbysë disavantazhin 1:0 ndaj Bologna-s duke fituar në fund të takimit me golat e Dybala dhe Keane. Megjithëse ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh me anë të një super goli të Taider, Juventus zgjohet në fund të takimit duke likuiduar lojtarët e Bologna-s përpara se arbitri të fërshëllente fundin e takimit.
Juventus duket se e ka mendjen te finalja e madhe e 3 qershorit teksa, megjithëse Allegri kishte aktivizuar shumicën e lojtarëve titullarë që me siguri do të luajnë ndaj Real Madrid në finalen e Cardiffit, të besuarit e tij dukeshin si të ngurtë dhe të pamotivuar ndaj Bolgna-s që kërkon me më shumë ngulm golin e avantazhit.
Pas çerek ore lojë është Asamoah ai që kalon të tijtë në avantazh por anësori nuk mendon kështu dhe anulon golin pas një pozicioni jashtë loje të lojtarit. Ky ishte i vetmi rast që ia vlen të përmendet në 45 minutat e para, teksa loja është e vakët dhe pa shumë momente kyçe.