Francesco Totti ka njoftuar zyrtarisht se në ndeshjen ndaj Genoas, ditën e dielë, do ta veshë për herë të fundit fanellën e Romës, edhe pse dashuria e tij për futbollin, siç është shprehur vet ai, nuk do të shuhet kurrë.Kapiteni legjendar 40-vjeçar i Romës i jep fund kështu karrierës së tij 24-vjeçare me klubin verdhekuq të kryeqytetit italian, ndoshta për t’u bërë drejtor sportiv në rangjet e larta të klubit të vetëm për të cilin ka luajtur deri më sot.Me Romën, Totti ka shënuar 307 gola në 783 ndeshje të luajtura, që kur bëri debutimin në mars të vitit 1993, në moshën 16-vjeçare.
“Nuk mundem t’iu tregoj me pak fjalë sesa domethënëse kanë qenë, janë dhe do të mbeten për mua këto ngjyra”, shkroi ai në “Twitter”. “Thjesht ndiej se pasioni dhe dashuria ime për futbollin nuk mund të veniten kurrë. Është thjesht pasion, pasioni imë. Ende nuk mundem ta imagjinoj sesi do të jetë jeta ime në vijim. Megjithatë, nga e hëna do të jem sërish gati. Gati për një sfidë të re. Roma-Genoa e 28 majit do të jetë e fundit ndeshje, kur unë do të mund të vesh fanellën e Romës”.Totti, fitues i Kupës së Botës me Italinë në vitin 2006, ka fituar një titull kampion në Itali dhe dy trofe të Kupës së Italisë. Ai pritej të tërhiqej nga futbolli vitin e kaluar, por nënshkroi sërish një rinovim njëvjeçar të kontratës me klubin verdhekuq. Në këtë sezon të fundit ai ka luajtur 27 ndeshje, në shumë prej të cilave si zëvendësues. Roma është në vendin e dytë në renditje, 4 pikë larg Juventusit kampion.