Teuta ka vazhduar gjatë ditës së djeshme seancat stërvitore për ndeshjen e fundit të sezonit që do të luajë ndaj Laçit. Trajneri Magani kishte parashikuar dje një seancë stërvitore më shumë tekniko-taktike sesa fizike. Edhe pse durrsakët kanë arritur objektivin sezonal që është mbijetesa, duket se do të kërkojnë ta mbyllin me një rezultat pozitiv këtë ndeshje, e cila luhet në një fushë të vështirë siç është ajo e Laçit. Megjithatë trajneri Magani, gjatë një analize të shkurtër që ka bërë me futbollistët e tij, u ka kërkuar atyre që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë kundërshtarin, çka do të thotë se objektivi i Teutës në këtë përballje është marrja e pikëve.
Trajneri i bregdetarëve ka qenë mjaft i rreptë në stërvitje dhe nuk ka toleruar asnjë gabim. Madje, në rastet kur lojtarët kanë gabuar, ai i ka përsëritur nga dy herë ushtrimet. Më tej, ai ka ndarë ekipin sipas reparteve dhe ka zhvilluar lojëra me qarkullim topi. Ndërsa Kapllani vazhdon procesin me portierët, duke praktikuar goditje brenda zonës, por dhe ushtrime kur portieri gjendet i vetëm para një apo dy lojtarëve kundërshtarë. Përgatitësi i portierëve u kërkon qetësi në të tilla raste si dhe çdo lëvizje apo dalje të bëhet pa u nxituar, në të kundërt kundërshtari e ka shumë të lehtë të shënojë. Ndërsa zv.trajneri Dervishi shpeshherë përfshihet në stërvitjen e lojtarëve duke dhënë ai i pari shembullin se si duhet të zhvillohet apo ekzekutohen goditjet dhe skemat që zhvillojnë. Gjithçka në stërvitje është shumë strike. Edhe pse mund të duket një skenar mjaft i vështirë për t’u bërë realitet, Teuta ka ende shpresa për të zënë vendin e katërt. Në rast të një fitoreje ndaj Laçit dhe një ndaljeje të Luftëtarit në sfidën me Kukësin, atëherë shanset që durrsakët të marrin pjesë në Europë janë të mëdha edhe pse një gjë e tillë do të varet edhe nga fituesi i trofeut të Kupës së Shqipërisë. Finalja e Kupës do të luhet më 31 maj mes Tiranës dhe Skënderbeut në “Elbasan Arena”.