Rino Gattuso kthehet në shtëpi: do të jetë trajneri i ri i Milan U-19. Në mbrëmjen e ditës së mërkurë është bërë edhe takimi mes ish-mesfushorit të Milan dhe drejtuesve të rinj të klubit kuqezi që i ofruan vendin e punës, trajnerit që ishte i lirë nga çdo lidhje kontraktuale, pasi u shkëput nga Pisa, me të cilën ra në Serie C. Gattuso u thërrit në klub nga drejtori i ri i Milan, Mirabelli dhe pas disa takimeve u arrit marrëveshja. Gattuso do të marrë vendin e Stefano Nava. Në të kaluarën trajnerët e Milan U-19, Philipo Inzaghi dhe Christian Brochi arritën të marrin edhe drejtimin e skuadrës së parë.
Gjatë karrierës së tij me Milanin, Gennaro Ivan Gattuso e ka fituar Ligën e Kampionëve, në sezonet 2002-03 dhe 2006-07, dhe gjithashtu Serinë A në sezonet 2003-04 dhe 2010-11. Partneritetin i tij me Andrea Pirlo luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Kupës së Botës për Italinë në vitin 2006. Ai do të mbahet mend si një nga futbollistët më luftarak në epokën moderne të këtij sporti. Gattuso luajti 330 ndeshje me Milan, duke shënuar 9 gola.