Taulant Xhaka mbetet jashtë Kombëtares. Përplasjet e fundit me trajnerin Xhani De Biazi kanë bërë që mesfushori të mos jetë në listën e radhës të grumbullimeve për ndeshjet kundër Luksemburgut dhe Izraelit në muajin qershor.Xhaka u largua nga grumbullimi pas ndeshjes me Italinë, teksa deklaroi se nuk do të vinte më në Kombëtare për sa kohë aty do të ishte trajner De Biazi. Një deklaratë e fortë kjo, por mëse e pritshme teksa nga një beniamin i trajnerit, mesfushori u kthye në një lojtar të padëshiruar.
Gjithçka filloi më zëvëndësimin në ndeshjen Shqipëri – Zvicër në Euro 2016, ku Taulant Xhaka reagoi mjaft keq ndaj zëvëndësimit në pjesën e dytë duke përplasur shishet e ujit në pankinë. Kjo gjë duket se nuk i pëlqeu De Biazit dhe filloi ta spostojë mesfushorin nga formacioni dhe planet e tij.Ndërkaq, “lufta e ftohtë” mes palëve vazhdon dhe trajneri nuk i ka dërguar ftesë lojtarit për miqësoren ndaj Luksemburgut dhe ndeshjen eliminatore për Botërorin “Rusi 2018” duke e lënë jasht listës së tij.