18 për qind e mallrave të përpunuara në Terminalin e Mallrave Gjenerale (i njohur si Terminali Perëndimor) i përkasin tranziteve drejt Kosovës. Melamina, xhamat, çimento, llamarina dhe superfosfati janë mallrat e importit që kanë vijuar udhëtimin me automjete drejt tregut të Kosovës.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në katër muajt e parë të këtij viti në këtë Terminal, që administrohet nga Autoriteti Portual Durrës, mbi 34.313 tonë mallra importi me anije kanë vijuar më pas rrugëtimin me kamionë drejt qyteteve të ndryshme të Kosovës.
Më shumë se gjysma e tranziteve drejt Kosovës në periudhën janar-prill 2017, mbi 17.8 mijë tonë, janë përpunuar në muajin prill.
Në periudhën 4-mujore në Terminalin Perëndimor janë përpunuar gjithsej 195,933.573 tonë mallra importi, nga të cilat 34,313.707 tonë i përkasin importeve drejt Kosovës. 161,619.866 tonë mallra të tjera në të njëjtën periudhë janë porosi të grosistëve shqiptarë.
Në të katër Terminalet e portit të Durrësit, anijet dhe tragetet në këto katër muaj kanë transportuar 1.143.470 tonë mallra gjithsej.