Skuadra e Bajernit ka festuar titullin e 27-të këtë fundjavë. Por ata nuk kanë bërë një figurë të mirë gjatë festimeve. Edhe pse ka qenë një festë madhështore, në disa momente është kthyer edhe në ofendim për një ndeshje futbolli.Për bavarezët, festa ka filluar përpara ndeshjes, por për një ndeshje futbolli ekzistojnë edhe kundërshtarët, ku në këtë rast ka qenë skuadra e Fraiburgut. Për ta ishte ndeshja e fundit për t’u kualifikuar në Ligën e Europës.

Për këtë arsye, skuadra bavareze ka humbur respektin. Në shfaqjen pas përfundimit të pjesës së parë, këngëtarja Anastasia ka kënduar për të gjithë fansat në stadium. Edhe pse ishte diçka e bukur, ka pasur prapaskena.Ky spektakël ka zgjatur më shumë sesa ishte menduar, duke sjellë kështu shtyrjen e pjesës së dytë, gjë e cila nuk është pritur mirë.

Për këtë situatë ka folur edhe trajneri i skuadrës së Fraiburgut, Kristian Straish duke thënë: “Nuk jam ndier mirë që ndeshja nuk filloi atëherë kur ishte caktuar, për skuadrën kjo ishte diçka negative. Ne ishim në një stadium dhe të presësh një këngëtare duke shtyrë lojën, kjo është çmenduri”.

Përpos kësaj, edhe nga skuadra bavareze ka pasur lojtarë, të cilët nuk e kanë pritur mirë këtë pjesë të festimeve. Arjen Roben, gjatë performancës së këngëtares, është drejtuar për te Straish duke i thënë: “Kjo nuk duhej të ndodhte”.

Megjithatë, 33- vjeçari ka kritikuar edhe publikisht gjatë një interviste në përfundim të ndeshjes ku ka thënë: “Më ka ardhur keq për skuadrën e Fraiburgut, pasi ata po luanin për një arsye. Festimet janë pjesë e futbollit, por duhet të respektohet edhe skuadra, e cila pret të hyjë në fushë”.Përpos kësaj, edhe Mats Humels ka qenë një prej personave që nuk e kanë pritur edhe aq mirë mënyrën e festimeve duke thënë: “Ka patur gjithmonë festime rreth stadiumit, ndërsa tashmë ato po pushtojnë edhe qendrën e tij. Sinqerisht nuk më duket dhe aq e këndshme”.