Volejbolli mund të pësojë një revolucion së shpejti, pasi Federata Ndërkombëtare (FIVB) po mendon të ndryshojë sistemin e pikëzimit dhe të seteve. Kohëzgjatja e ndeshjeve apo edhe e një seti të vetëm është rritur ndjeshëm dhe shpesh kjo ndikon në uljen e nivelit të lojës dhe të shikueshmërisë.
Atëherë FIVB ka një propozim interesant, që do të eksperimentohet sezonin tjetër. Numri i pikëve të çdo seti do të ulet nga 25 në 15, por ama do të rritet numri i seteve, nga 5 në 7. Pra, fitues del ekipi që fiton 4-0, 4-1, 4-2 ose 4-3. Qëllimi është i dyfishtë, të ulet kohëzgjatja e setit, në mënyrë që ai të bëhet më interesant, ndërkohë që edhe ekipet kanë më pak mundësi për të rikuperuar dhe loja bëhet më spektakolare dhe e fortë.
Kjo do të thotë që çdo pikë do të jetë e rëndësishme, pasi luhet deri në pikën e 15-të (gjithnjë minimum i avantazhit për të fituar një set është dy pikë, 15-13, 16-14, 17-15 e kështu me radhë). Ky eksperiment i ri do të testohet në gusht të këtij viti, në Botërorin U-23, ndërkohë që du të ulet edhe numri i pushimeve në çdo set.