Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, është arrestuar sot nga policia spanjolle me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së fondeve. Arrestimi i Rosell është bërë me kërkesën e SHBA, të cilët kanë përfshirë emrin e Rosell në hetimin rreth Rikardo Teikseiras, ish-presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit.

Të dy ishin aksionerë në kompaninë “Alianto” dhe me sa duket, kanë fshehur miliona euro duke pastruar sasi të mëdha parash. Mediat spanjolle raportojnë se akuza që iu komunikua në momentin e arrestimit ishte ajo e “mbledhjes së komisioneve të jashtëligjshme, të siguruar nëpërmjet shitjes së të drejtës së imazhit të Kombëtares braziliane të futbollit”.

Këto para, pastroheshin nëpërmjet kompanive të krijuara posaçërisht në parajsa fiskale. Rosell ishte një nëpunës i Federatës Braziliane të Futbollit para se të fillonte punë në stafin drejtues të Barcelonës, derisa u bë president i këtij klubi. Teikseira është bërë pjesë e hetimeve të SHBA rreth zyrtarëve të korruptuar të FIFA-s që arrestuan dy vite më parë në Zvicër.

Ndërkaq, Rosell është i përfshirë edhe në një tjetër gjyq, atë të transferimit të Neimar nga Santos te Barcelona në viti 2013 dhe për të cilin akuzohet përsëri se ka fshehur të ardhura për të shmangur pagesën e taksave.