Shkolla e mesme e bashkuar “Besnik Hidri” në Shënvlash të Durrësit për herë të parë ka marrë pjesë në Maratonën Rinore, duke fituar edhe tre çmime kryesore në disa gjini ku konkurruan maturantët e të gjithë shkollave të Durrësit, publike e jo publike. Maturantët e “Besnik Hidrit” fituan çmimin e 3-të për këngën më të mirë, çmimin e 3-të si etydi më i mirë dhe çmimin e parë për kërcimin popullor….

Për herë të parë nxënësit e kësaj shkolle, janë ndjerë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre të gjimnazeve më në zë të Durrësit. Përgatitja e maturantëve për  Maratonën Rinore u realizua nga mësuesja e muzikës Anxhela Hote dhe profesori i historisë Gazmend Marku. Nxënësit konkurruan në gjininë e këngës, kërcimit, etydit, skeçit, poezisë.

Në këngë nxënësit u paraqitën me 2 numra, një me kitarë dhe një vetëm me soliste, në gjininë e kërcimit kishin 2 performanca, një valle popullore dhe një kërcim modern. Ndërsa etydi që u përgatit nga vetë nxënësja interpretuese u vlerësua me çmimin e 3-të. 

Anxhela Hote mësuese e muzikës tha se kjo ishte hera e parë që morën pjesë në këtë aktivitet konkurrues dhe se publiku e priti shumë mirë shkollën “Besnik Hidri”.

“Me anë të kësaj maratone i ngritëm vlerat shkollës sonë, pasi për vite me rradhë nuk merrte pjesë në asnjë konkurs. Nxënësit dhe mësuesit hasën vështirësi pasi nuk kanë kushtet e duhura për përgatjen në të gjithë zhanret, por besoj se ia dolëm mbanë. Ka pasur shumë lodhje dhe orare të zgjatura për përgatitjet me nxënësit, por kënaqesia që morëm në fund shpërbleu mundin dhe lodhjen tonë”, -u shpreh ajo. 

K.H.