Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u ndal në një bashkëbisedim me banorët e rajonit të ish-Kënetës, apo e njohur tashmë si Durrësi i Ri.
“Kjo tashmë është lagje dhe nuk është më ish-Këneta dhe nuk ndihem mirë kur vazhdojnë dhe e konsiderojnë të atillë. Së bashku me tregun i dhamë një zhvillim ekonomik zonës, ideuam së bashku me Armand Telitin, në atë kohë këshilltar i PD, këtë ky aks rrugor. Por, këto janë shumë pak, për të patur një jetë më cilësore. Ka një harresë dhe neglizhencë për çdo lagje që ndodhet jashtë qendrës së qytetit”,- u shpreh Koka.
Më tej ministri i Mjedisit u shpreh se vota është vetëm pronë e qytetarëve dhe jo e partive politike, të cilët janë të lirë të vlerësojnë me votën e tyre, ose të ndëshkojnë ata që nuk ju shërbejnë si duhet.
“Në këtë radhë ka gjithmonë një herë të parë, dhe unë kam menduar që forcat e mëdha politike kanë abuzuar me votat e shqiptarëve, i kanë konsideruar ato vota të ndara ashtu me pëlqimin e tyre, i kanë konsideruar prona”, tha Koka.
Ministri Koka u ndal ndër të tjera tek problematika e furnizimit me ujë.
“ Më vjen keq kur sot ne vazhdojmë të kemi problematikë me ujin e pijshëm. Është një problem i ngritur që në 1993. Ne vërtet furnizohemi me ujë të pijshëm nga një distancë e largët, mbi 30 km, por, janë investuar më shumë se 90 milionë euro, i thonë 3 milionë euro për 1 km. Duhet të kishte mbërritur uji te çdo shtëpi”,-u shpreh ai.
Në këtë takim, ministri i Mjedisit shoqërohej nga një pjesë e kandidatëve të LSI si: Edlira Hyseni, Arb Shtylla, Flamur Gjuzi dhe Arben Qato.





