Partitë e koalicionit opozitar mund të përfshihen nën siglën e PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Propozimin për një vendimmarrje të tillë kreu i PD-së, Lulzim Basha, ua ka pohuar dje aleatëve të tij gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në selinë blu, shkruan “Panorama”.

Propozimi i Bashës për aleatët vjen pas marrëveshjes që ai nënshkroi me Kryeministrin Rama, më 18 maj, që të gjitha forcat politike në zgjedhjet e 25 qershorit të garojnë të vetme, pa koalicione.

Kjo vendimmarrje është kontestuar edhe publikisht nga shumë prej aleatëve të Bashës, të cilët kanë deklaruar se partitë e vogla rrezikojnë të mbeten të papërfaqësuara në parlamentin e ardhshëm.

Pavarësisht këtyre pakënaqësive, gjatë takimit me kreun e PD-së, Basha, aleatët e koalicionit opozitar kanë pranuar parimisht propozimin për të garuar të gjithë në siglën e PD-së.

“Panorama” shkruan se burime nga tryeza e koalicionit opozitar bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij, Basha ka qenë i kujdesshëm të mos japë garanci për asnjë nga aleatët e tij se do të jenë pjesë e listave të Partisë Demokratike.

Megjithatë, duket se të paktën pesë nga aleatët e Bashës, të cilët kanë gjithashtu edhe mandate parlamentare, do të jenë në pozita të sigurta në listat që demokratët do të dorëzojnë në KQZ brenda datës 26 maj. Edhe gjatë qëndresës në çadër, Basha ka vlerësuar si shumë të çmuar rolin e aleatëve të tij, të cilët vendosën të mos bëheshin pjesë e zgjedhjeve, njësoj si edhe PD-ja.

Të njëjtat burime sqarojnë se kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i PAA-së, Agron Duka, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, do të përfshihen në lista të sigurta nga Lulzim Basha.

Ky mendohet të ketë qenë një pakt i parashkruar mes Bashës dhe aleatëve të tij para nisjes së qëndresës së opozitës në çadrën e vendosur përpara, për të garantuar besnikëri për unitetin e koalicionit opozitar.

Gjatë takimit të djeshëm në selinë blu, Basha mësohet të ketë lënë të hapur edhe mundësinë e lënies së hapësirave për aleatët kur ata pretendojnë të kenë kandidatura të forta në zona të caktuara.

Brenda mbledhjes, aleatë të caktuar të PD-së kanë shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën se si do të hyjnë në zgjedhje dhe kanë kërkuar nga kreu i PD-së të shohë edhe mundësitë për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, që asnjë votë e partive të vogla të mos cilësohet e humbur.

Në ditët e ardhshme kreu i PD-së do të zhvillojë të tjera takime konsultuese me aleatët e tij. Gjatë javës së ardhshme, Basha do të dorëzojë në KQZ edhe listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit dhe renditja e emrave të aleatëve, apo edhe ndonjë propozimi bindës në lista, mund të jenë temë e diskutimeve të ardhshme në selinë blu.