Lefter Koka, në takimin me banorët e Plazhit, Durrës u ndal në një tjetër problematikë madhore të kësaj zone, atë të rrugës së  plazhit, që po rikonstruktohet nga Bashkia, për të disatën herë.

Koka iu rikthye këtij projekti të hershëm, me të cilin ai është identifikuar më së shumti, kur drejtoi për 3 vite Bashkinë Durrës (2003 – 2007).

Për këtë projekt ai tha: “Nuk kam mundur ta kuptoj, që në vitin 2005, kur isha kryetar bashkie, u bë rruga. Ishte 7.2m e gjerë, u bë 22m e gjerë. U insistua të bëhej e gjerë, se mund të ngushtohej nëse nevoja mund ta sillte, por nuk kam gjetur dot kurrë pse është ndërhyrë vetëm në këtë rrugë. Që nga 2005 që jam larguar unë dhe deri tani, në atë aks rrugor aty mund të jenë hedhur mbi 15 mln euro. Për t’u bërë e gjithë rruga në atë kohë, kur ishte 7m e gjerë, ka kushtuar vetëm 6 mln euro, për t’u zgjeruar, për t’ju bërë shtrati i ri rrugës dhe për t’u bërë rrugica dytësore. U rikthyen duke e gërmuar atë rrugë, bënë kanalizime të reja, dhe sot unë nuk besoj që zona është më pak e përmbytur, ajo që është në krahun tjetër të rrugës, përkundrazi, është më e përmbytur, nuk është bërë zgjidhja e duhur. Dhe në qytetin e Durrësit, sot janë bërë dhe po bëhen shumë investime, sigurisht është dhe prioritet i kryetarit të bashkisë, anëtarëve të këshillit bashkiak për të përzgjedhur prioritetet, por unë mendoj se nëse do të ishim ulur së bashku, për të biseduar pak më hapur dhe më shkoqur, a do të ishin këto të sotmet prioritetet e Durrësit? 32 milionë euro që është buxheti aktual, unë mendoj mund të ishin zgjidhje të tjera më produktive. Është e kotë që të vazhdojmë e të konsumojmë para me aksin kryesor rrugor, nevoja imediate është të merremi me detin”.