Pas 90 ditësh është çmontuar edhe çadra e protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e quajtur ndryshe nga demokratët si “çadra e lirisë”.
Përpara mbylljes së protestës së opozitës, kreu i PD-së Lulzim Basha shkoi edhe një herë në çadër ku u tha mbështetësve të pranishëm që kurajën dhe besimin e treguar tani duhet ta përhapin në të gjithë vendin.
Kujtojmë se opozita kishte ngritur çadrën para godinës së Kryeministrisë më 18 shkurt 2017, ku kërkonte qeveri teknike përmes së cilës mund të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por pas marrëveshjes së arritur duke u gdhirë e enjtja, mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama, çadra e ka përmbushur misionin e saj, dhe është hequr nga bulevardi.
Tanimë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të nisë edhe qarkullimi i mjeteve.





