Pas një shkëputjeje 4-vjeçare, në qytetin e Durrësit është rikthyer sërish Maratona Rinore.

Në këtë edicion të tetë, marrin pjesë shkollat e mesme të rrethit Durrës: “Leonik Tomeo”, “Naim Frashëri”, “Bernardina Qeraxhia”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko”, “Migjeni”, “Mihal Ikonomi”, “Kasa”, “Kajo Karafili” (Maminas) Manëz, Kullë, Ishëm, Katund i Ri, “Besnik Hidri” (ShënVlash) “16 Shtatori” (Shijak).

Festivali ka filluar më datë 8 maj dhe do të vijojë deri më 17 maj 2017, kur do të jetë dhe finalja e festivalit.

Përpara një komisioni specialistësh, janë prezantuar rreth 130 numra artistikë. Shkollat konkurojnë në këto zhanre artistike: kërcim modern, kërcim aerobik, interpretim, stilim, pikturë, skeç, prezantim, pantomime, etyde me tema sociale, këngë, valle popullore.

Çdo shkollë ka përgatitur një program 40 minuta me të gjithë elementet artistike.

Nën organizimin e Genciana Cakos dhe Arian Plakut, si dhe me ide të këtij të fundit, ky festival bëhet i mundur në sajë të bashkëpunimit mes Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës dhe teatrit “Aleksandër Moisiu”.