Në një ceremoni të veçantë solemne të zhvilluar dje pasdite në Presidencë, Kreu i Shtetit Bujar Nishani nderoi dhe vlerësoi kontributet dhe veprat e paharruara të disa prej personaliteteve më të shquara të komunitetit durrsak.
Presidenti i Republikës, duke vënë në pah vlerat dhe kontributet emancipuese, qytetare dhe frymëzuese të figurave të shquara durrsake ndër vite, si dhe duke bërë apel që veprat dhe shembulli i tyre jo vetëm të mos harrohet asnjëherë, por të na shërbejë për të pasuruar edhe më tej fondin e vyer të trashëgimisë dhe identitetit kombëtar duke u ruajtur e pasuar te brezat më të rinj, nderoi:
Me Dekoratën “Nderi i Kombit”: Dhimitër Vokopolën (pas vdekjes), Kristo Sotirin (pas vdekjes), Hysen Myshketën (pas vdekjes) dhe zotin Gjergj Vlashi.
Me Titullin “Mjeshtër i madh”: zotin Halil Myderrizi, zotin Erald Dervishi, Pertef Krujën (pas vdekjes), zotin Ali Sula dhe zotin Bujar Qesja.
Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për merita të veçanta civile” zotit Gani Ismailati dhe zotit Nikolla Jorgoni.
Në ceremoni morën pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Kseanela Sotirofski, kryetari dhe anëtarë të Shoqatës ‘Durrësi”, intelektualë, si dhe familjarë.