Bienalja "Mediterranea 18" ka ulur siparin mbrëmjen e djeshme në një ceremoni që u zhvillua në verandën e muzeut arkeologjik në Durrës. Në një pamje të mrekullueshme, artistët e rinj nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut janë grumbulluar në ditën e fundit të Bienales për t’u rikthyer drejt vendeve të tyre. Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse kanë qenë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro si dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Turizmit, Milva Ekonomi. Kumbaro është shprehur se “për 5 ditë me radhë ia dolëm që ta kthejmë Shqipërinë në skenën më të madhe artistike të Mesdheut gjatë këtij muaji”.
Ndërsa ministrja Milva Ekonomi theksoi në përshëndetjen e saj se shpreson që artistët e rinj pas kthimit në vendet e tyre ta sugjerojnë Shqipërinë si një destinacion turistik për shkak të eksperiencës që kaluan këto ditë në vendin tonë.
Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se askush nuk e besonte që pas 26 vitesh, ku shumë shqiptarë largoheshin nga Durrësi drejt Evropës të ndikuar edhe nga artistët e famshëm të huaj të asaj kohe, tashmë ky qytet pret mbi 230 artistë të rinj duke treguar se ne jemi tashmë jo vetëm pjesë fizike e Evropës.
Mbi 230 artiste të rinj nga vende të ndryshme të Evropës dhe Mesdheut morën pjesë në bienalen Mediteranea 18 duke zhvilluar aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore ne qytetin e Tiranës dhe Durrësit nga data 4 maj dhe në vazhdim.
K.H.