*Dëgjesa publike e Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare si dhe Drejtorisë së Shërbimeve
Në kuadër të realizimit të dëgjesave publike të Bashkisë Durrës lidhur me përgatitjen e buxhetit afatmesëm 2018-2020, Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare (AKRSKF) dhe Drejtoria e Shërbimeve kanë zhvilluar dëgjesën publike të radhës me qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, Programin “Kultura dhe Sportet” si dhe Programin “Infrastruktura rrugore dhe transporti publik”, për periudhën 2018-2020.
Kështu, dëgjesa publike e radhës është zhvilluar në Sallën e Këshillit Bashkiak, Durrës. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të pranishëm më së shumti përfaqësues të institucioneve arsimore, kulturore dhe sportive, si drejtues shkollash, çerdhesh, kopshtesh, përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik, nga Biblioteka Publike Durrës, përfaqësues të shoqatave artistike dhe kulturore, përfaqësues të njësive administrative, përfaqësues të biznesit, si dhe përfaqësues të nivelit drejtues në Bashkinë Durrës.
Gjatë dëgjesës publike, në pjesën e parë, Adrian Gurra, Drejtori i AKRSKF-së fillimisht informoi pjesëmarrësit lidhur me përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës arsimore, kulturore e sportive, përmirësimin e cilësisë së ushqimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte si dhe rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit, komunikimit dhe ndërveprimit ndërmjet Drejtorisë së AKRSKF-së dhe Drejtorisë së Shërbimeve, e cila është dhe drejtoria bashkëpunuese kryesore në realizimin e investimeve në arsim, kulturë apo sport.
Kështu, në këtë kuadër, Emiriana Sako, Drejtore e Shërbimeve, informoi pjesëmarrësit në lidhje me ndërhyrjet me investime në arsimin parashkollor dhe në arsimin 9-vjeçar. Sako u ndal në ndërtimin e një apo dy shkollave 9-vjeçare në vit, rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve, shkollave si dhe vendosjen e sistemit të ngrohjes në të gjitha institucionet që do të hyjnë në fazën e rikonstruksionit për periudhën 2018-2020.
Më pas, Gurra sqaroi së në kuadër të programit kulturor, është parashikuar ndërtimi i një platforme kulturore vjetore, në mënyrë të tillë që të mundësohet që trashëgimia kulturore të jetë në kontakt me qytetarët dhe vizitorët. Gurra theksoi rëndësinë e finalizimit të projektit “Shenjat e kujtesës”, me anë të së cilit synohet të certifikohet dhe të memorizohet kultura e qytetit të Durrësit.
Ndërsa, në lidhje me sportin, Gurra sqaroi se Bashkia Durrës në bashkëpunim me institucione dhe organizata të ndryshme do të mirëpresë dhe do të organizojë veprimtari të ndryshme sportive, veprimtari këto që janë risi për qytetin e Durrësit ku sportet janë të lidhura me natyrën gjeografike të tij por sidomos me traditën. Kështu, mund të përmendim ndalesat e përvitshme të Dansit Sportiv, Zumba Show, Maratonën Ballkanike, garat çiklistike me pjesëmarrjen e të rinjve, Rally Albania etj.
Gjithashtu, gjatë dëgjesës publike nga pjesëmarrësit u ngritën disa çështje për diskutim, kryesisht në lidhje me ndërtimin e një palestre në një nga shkollat 9-vjeçare në qytet, përmirësimin e menusë alternative të ushqimit për fëmijët në çerdhe dhe kopshte, shtimin e personelit ndihmës për shkollat etj.





