Linda Halimi, përfaqësuesja e Shqipërisë në edicionin e 62-të të Eurovizion, shpalosi të gjithë fuqinë e saj vokale në skenën e festivalit prestigjioz të mbajtur në Kiev mbrëmjen e së martës.
Halimi doli në skenë e katërta në vazhdën e artistëve që prezantojnë këngët e tyre në natën e parë gjysmë-finale. Publiku e priti me brohoritje këngëtaren shqiptare që performoi këngën me titull “World”, me muzikë të Klodian Qafokut dhe tekst nga vetë Linda në bashkëpunim me reperin Big Basta.
Për të gjithë ata që ndodhen jashtë Shqipërisë dhe që dëshirojnë të votojnë për Linda Halimin, këngëtarja shqiptare mban kodin numër 04 dhe mund të votohet nëpërmjet një mesazhi sms dërguar në një numër të vënë në dispozicion për çdo shtet. Sakaq, ashtu si çdo vit, personat që ndodhen brenda Shqipërisë nuk mund të votojnë për përfaqësuesen e tyre dhe kjo vlen për çdo vend.