Gjatë takimeve me strukturat drejtuese të LRI Durrës, Arbi Koka, koordinatori i LSI-së në qytetin bregdetar kërkoi nga të rinjtë durrsakë, të investojnë më së miri kohën e tyre, në të mirë të ardhmes. Ai theksoi se motori dhe energjia e forcës politike LSI – Qarku Durrës është rinia.

“Ftoj gjithsecilin prej jush që jeni pjesë e këtij forumi, të investojmë të gjithë së bashku për dijet dhe shansin e së ardhmes sonë. Të investojmë në të mirë të vetes dhe të ardhmes sonë më të sigurtë. Le të bashkojmë forcën e ideve tona, për të projektuar të ardhmen e sigurt këtu në vendin tonë, e të jemi qytetarë të denjë dhe të rinj shembullorë për familjet tona” tha Arbi Koka, djali i kandidatit Lefter Koka. 

Koka theksoi se LSI Durrës në zgjedhjet e 18 Qershorit do të jetë forcë e parë në Qark falë besimit të njerëzve dhe përkushtimit ndaj tyre. Në vijim ai theksoi: – “Ne jemi të gjithë njësoj, pa dallimin apo ndasinë ku kemi lindur apo ku jetojmë, në qendër apo periferi, në jug apo veri, mundësitë për të ecur më shpejt janë të barabarta për të gjithë”.

“Shembulli më i mirë jemi vetë ne, le të jemi shembull pozitiv për bashkëmoshatarët tanë apo dhe të rinjtë që po na bashkohen. Shqipëria është e jona, askush nuk mund të marrë vendime në emrin tonë. Na takon ne të jemi zëri i vetes, e ardhmja ju përket të rinjve!” – deklaroi Koka, gjatë bashkëbisedimit me strukturat e të rinjve të LRI Durrës, në lagjet nr.15 dhe 18.