Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputetja Majlinda Bregu deklaroi se opozita nuk mund të bojkotojë zgjedhjet, dhe mos pjesëmarrja në to nuk mund të quhet fitore.

“Unë nuk e gjej me vend, pavarësisht faktit se jam një njeri që kam hyrë në politikë me Partinë Demokratike, jam me PD-në, do të jem me PD-në, por nuk e shoh me vend që të heshtet përpara një situate, e cila është situata më e rëndë që po kalon Partia Demokratike.

Nuk e gjej me vend mospjesëmarrjen në zgjedhje, pavarësisht se ka ide që realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është e vetmja kauzë e PD-së, por sidoqoftë unë them nga ana tjetër një frikë që nuk e ndajmë dot, frika se mos i japim alibi Edi Ramës dhe mazhorancës së tij që të bëhen jo vetëm më të mëdhenj, por të mbretërojnë me një qetësi të pashoq në Parlamentin tjetër.

Mbase kjo po na vë në vështirësi jo vetëm me miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk e kanë lënë PD-në vetëm as në vitin 1997. Ka një sërë çështjesh që mua nuk më bëjnë të ndihem mirë. Nuk besoj se zgjedhjet, të cilat nuk zhvillohen, duhet të konsiderohen fitore dhe po i referohem këtu Kavajës.

Sikurse nuk besoj nga ana tjetër se kur Edi Rama i la qytetarët pa bukë dhe pa ujë, thirrjet për mosbindje civile janë ato që i duhen. Shqipëria është një vend me njëmijë halle dhe unë nuk e gjej me vend fare, të cilët të jemi ata që t’i lëmë qytetarët në klimë tensioni, e kam fjalën për klimën politike në tërësi.

Kam frikë se në mos u shpiktë ndonjë jetë politike në Mars, vazhdimi i luftës politike jashtë institucioneve nuk e bën Partinë Demokratike më të madhe. Shpresoj shumë që ky shqetësim të mos jetë vetëm shqetësimi im, edhe në qoftë se është shqetësimi im dhe i disa kolegëve të tjerë…nuk e them këtë sepse kam hallin e kryetarit të PD-së, as timin, dhe asnjërit prej nesh, ne do të kemi mundësi të gjejmë një punë që ai qytetari i fundit nuk do ta gjejë, por është halli i atyre demokratëve që nuk do të ndjehen të përfaqësuar në Parlamentin e ardhshëm.

Jam e bindur që 18 qershori nuk do të jetë ditë zgjedhjesh, nga ana tjetër jam e bindur se 18 qershori nuk mund të trajtohet sikur të jetë 29 nëntori i Enver Hoxhës. Mbas kësaj situate, detyra kryesore e çdo demokrati eshë rindërtimi i Partisë Demokratike”, deklaroi Bregu.