Një konflikt pronësie është bërë shkak i një maratone problemesh për këngëtaren e njohur shqiptare Eda Zari. Mamaja e saj, Zhane Zari deklaroi publikisht se këngëtarja kishte marrë të gjitha pronat e familjes duke falsifikuar dokumentet, pas vdekjes së babait të saj, Ismail Zari. Akuzat, që asokohe bënë bujë në media, u shoqëruan me një përballje nënë e bijë, që sipas Zhane Zarit, degjeneroi me dhunë.

Pas këtij episodi, këngëtarja e njohur Eda Zari është paditur në Gjykatën e Tiranës për dhunë ndaj mamasë, e cila ka kërkuar edhe lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Kërkesa është regjistruar më datë 10 maj të vitit të kaluar dhe tashmë, procesi gjyqësor ka përfunduar. “Bluetooth” i “Gazetës Shqiptare” ka arritur të sigurojë vendimin e gjykatës, i cili ka shpallur fajtore Eda Zarin, për akuzën “Dhunë në familje” dhe e ka dënuar atë me 6 muaj burg.

“Asistuar nga sekretarja gjyqësore Gentiana Sadiku, me pjesëmarrjen e prokurores Aferdita Ndoi, sot me 14.04.2017, në Tiranë, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike çështjen penale, që i përket: E Pandehur:*** dhe Akuzuar:  ***”, nis vendimi i gjykatës së Tiranës, e cila prej disa kohësh tashmë, me synim ruajtjen e anonimatit të të akuzuarve i fsheh emrat e protagonistëve, apo të dëshmitarëve që marrin pjesë në çështje. Edhe në këtë rast, gjykata në vendimin që po botojmë më poshtë i ka fshehur emrat e Eda Zarit dhe mamasë së saj, Zhane Zari, megjithatë ne të “Bluetooth” kemi vërtetuar se bëhet fjalë pikërisht për to. “Gjykata, pasi shqyrtoi çështjen me gjykim të zakonshëm, dëgjoi prokuroren e çështjes, e cila në diskutimet përfundimtare kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurës *** për veprën penale të ‘Dhunë në familje’, të parashikuar nga neni 130/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me ***. Mbi bazën e nenit 63 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe zëvendësimin e dënimit me detyrimin e të pandehurës të kryejë *** punë në interes publik. Mbrojtësja e të pandehurit përfundimisht kërkoi deklarimin e pafajshëm të pandehurën *** për veprën penale parashikuar nga neni 130/a-1 të K.Penal ‘Dhuna në familje’, për shkak se nuk provohet se e pandehura të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës. Pas një procesi të gjatë dhe shqyrtimin e të gjitha pretendimeve të palëve, gjykata vendosi, ‘Deklarimin fajtore të së pandehurës E.I. Z. për veprën penale të ‘Dhunë në familje’ dhe në bazë të nenit 130/a/1 të Kodit Penal dënimin e saj me 6(gjashtë) muaj burgim. Vuajtja e dënimit i fillon të pandehurës nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në burg të sigurisë të zakonshme. Shpenzimet e kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore, në ngarkim të të pandehurës. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 10 ditëve duke filluar nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Apelit Tiranë”.

Nuk dihet nëse Eda Zari e ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë, apo ka vendosur të vuajë dënimin, sipas vendimit të gjykatës.