Pas çeljes së fushatës për Qarkun Durrës në Spitallë, ministri i Mjedisit Lefter Koka, kandidati që kryeson listën për Qarkun e Durrësit,  iu drejtua dje Romanatit, në një takim prezantues me komunitetin e kësaj zone. Ai shoqërohej nga disa kandidatë për deputet qarku Durrës, Nora Malaj, Flamur Gjuzi, Edlira Hyseni , Firdoza Izvira dhe Arjola Koçi.

Lefter Koka në fjalën e tij u shpreh : – “Ekipi fitues që kemi zgjedhur, ka një ndërthurje në të 14 kandidatët në moshë, gjini e mbi të gjitha në formim. Me qëllimin e vetëm që t’i  lëmë LSI Durrës një trashëgimi. Këta kandidatë janë personalitete të shkëlqyera, që jam i bindur se do ju përfaqësojnë denjësisht juve në Parlament, do të jetë ky ekip nesër në drejtimin e institucioneve qendrore apo lokale”. Ai theksoi se ekonomia e vendit sot, nuk është më mirë, pavarësisht rritjes ekonomike që ne shohim në shifra, por kjo rritje nuk ka ndikuar në drejtëpërdrejtë në mirëqënien e familjeve shqiptare.

Flamur Gjuzi kandidati për deputet shprehu emocionet, pasi po prezantohej zyrtarisht në vendlindjen e tij. Ai theksoi se : – “Unë si djali juaj, kam punuar çdo ditë të jetës sime që jo vetëm Romanati, por çdo zonë e Komunës Rrashbull e lënë në harresë për 25 vite, të kishte akses në shërbime t’i zgjidhej halli dhe nevoja që kishte. Ju siguroj se nga nesër unë do jem zëri juaj në Parlamentin shqiptar, falë kësaj mundësie që mu dha. Do punoj fort, pasi fjala ime gjithmonë ka qenë puna, që edhe në këtë zonë të ketë investime publike”

Ndërsa Nora Malaj në fjalën e saj duke shprehur kënaqësinë që kandidon që qytetin ku kaloi vegjëlinë e rininë e saj, tha: – “Të rinjtë e të rejat e këtij komuniteti, që kam njohur nga ky komunitet në vitet e mia të gjata në arsim, duan jetën, garojnë, sfidojnë e frymëzojnë së bashku. LSI garon si forca e parë në qarkun e Durrësit.  Janë zgjedhur njerëzit më të mirë që t’ju përfaqësojnë me dinjitet, por mbi të gjitha keni zgjedhur njerëzit që mendojnë me zemër, punojnë me shpirt e kanë zgjedhur të jenë zëri juaj për hallet tuaja”

Edlira Hyseni, aktualisht edhe anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës :- “Në këto 2 vite, në Këshill Bashkiak puna jonë, shpesh ka nuk ka sjellë ato që ne kemi pritur për qytetarët tanë që na kanë votuar. Por ju siguroj se në çdo moment e çdo vendim që është diskutuar, ne kemi mbrojtur e luftuar fort për interesat tuaja. Puna jonë vërtet mbase nuk ka qenë e reklamuar, por ju siguroj se kemi punuar me përkushtim të palodhur, që t’ju përfaqësojmë sa më denjësisht ” .