Kryetari i LSI Durrës, Lefter Koka, ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së Spitallës, lagjes së qytetit bregdetar, ku edhe ka lindur Koka. Në këtë takim Koka theksoi se LSI është forca politike, për të cilën nevojat dhe interesi i qytetarëve vjen i pari.
“Me këmbëngulje e devotshmëri, bashkëpunim të ngushtë dhe punën në ekip, LSI do të jetë forcë e parë në Spitallë. Angazhimet që ka marrë ekipi drejtues në këtë zonë, do të jenë prioritet, për t’i realizuar së bashku për të shndërruar thelbësisht jetët e familjeve të ardhmen e fëmijeve e të rinjve të kësaj zone” tha Koka.
“Në 10 vitet e fundit Spitalla është lënë në harresë, një zonë ku banon rreth 30% e popullatës. Spitalla ka nevojë për politika reale mbështetëse sociale, qytetarët besojnë votën e tyre për mos t’u përballur me indiferencën e arrogancën e politikës, por që ne politikanët të jemi aty për ta, të dimë të dëgjojmë nevojat e tyre dhe të japim maksimumin për t’ju përgjigjur. Për këtë arsye LSI është një shans për të gjithë” – theksoi Koka.
Gjatë këtij takimi u bë edhe prezantimi i disa prej kandidatëve për deputetë të Qarkut Durrës, Lefter Koka, Flamur Gjuzi, Arb Shtylla, Edlira Hyseni, Skerdi Bello dhe Xhojana Gjici.





