Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur për zhvillimet politike dhe ecurinë e negociatave me Partinë Demokratike.
Para gazetarëve dhe publikut të rrjeteve sociale, Rama shpjegoi se Partia Demokratike ka bërë gjithçka për të përçarë koalicionin me LSI-në.
Shefi i qeverisë foli ndër të tjera edhe për takimet e zhvilluara me dy negociatorët e Bashkimit Europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein duke rrëfyer edhe çastin kur e kishte ndier veten më keq se çdo herë tjetër: kur dy përfaqësues politikë të huaj vijnë në Shqipëri dhe shkojnë në dhoma të ndryshme, sepse Basha nuk pranonte të ulej në tavolinë pa parë më parë dorëheqjen e tij.
“Ne patëm në tavolinë një platformë e cila u pranua nga ne për 30 sekonda, si nga Meta ashtu edhe nga unë. McAllister dhe Fleckenstein patën një takim më pas me PD-në dhe u organizua takimi i famshëm, apo famëkeq i Pallatit të Kongreseve. Fatkeq, sepse nuk e kam ndjerë veten ndonjëherë më keq se kur dy përfaqësues politikë të huaj vijnë në Shqipëri dhe shkojnë në dhoma të ndryshme dhe një gjerman njëri, një gjerman tjetri. Kjo sepse Basha nuk pranonte të ulej në tavolinë pa parë më parë dorëheqjen time”, tregoi Rama.





