Ka përfunduar Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili është zgjedhur kryetar i ri i kësaj force politike, pas zgjedhjes së Ilir Metës si President i ri i Republikës së Shqipërisë.

Vasili është zgjedhur në mënyrë unanime nga të gjithë pjesmarrësit si kryetar i ri. Ndërkohë që në pozicionin e zv.kryetares është emëruar Monika Kryemadhi. Gjatë fjalës përshëndetëse me të pranishmit në sallë, kryetari i ri i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh se LSI do të jetë forcë e parë.

“Sot nuk u fsheh dhe po iu flas me zemër në dorë… Është e qartë që nuk ka sallë që na mban. Duhen fusha të gjera. LSI ka të drejtë të thotë që do të jemi forcë e parë.

Forcë e parë, s’kemi ça bëjmë tjetër. LSI kjo është kryefjala jonë. Pas kaq vitesh, kam nderin që të jem në këtë foltore. Në këtë sallë, është e gjithë historia jonë. Kemi përballuar dhimbjen e padrejtësisë. Pa rininë është një Shqipëri e vdekur. LSI që nuk ka limite, që do të jetë forcë e parë. Është një moment që bënë të qartë për çdo shqiptar se kush është forcë e përgjegjshme politike.”- ka thënë Vasili.

Vasili ka komentuar edhe zgjedhjen e Ilir Metës si President.

“Ilir Meta nuk ishte ai që u zgjodh President por ishte Presidenca që e kërkoi në këtë moment të vështirë politik. Me Metën President dhe me LSI forcë e parë do të ecet përpara”, është shprehur Vasili.