Përfundimi i abetares, mësimi i shkronjave të gjuhës shqipe, përjetohet me një gëzim të madh nga fëmijët e klasave të para dhe prindërit e tyre. Është traditë e hershme që përfundimi i abetares të festohet me një aktivitet ku në qendër të tij janë vetë vogëlushët 7- vjeçarë.
Pothuajse në çdo shkollë 9-vjeçare, prindër, mësues dhe nxënës festojnë mësimin e plotë të abetares nga vogëlushët. Kjo festë është një ditë tradicionale e arsimit shqiptar, që shënohet prej shumë vitesh sapo programet mësimore përfundojnë me të gjitha shkronjat e alfabetit.
Edhe në shkollën 9-vjeçare “Eneida” nxënësit e klasave të para mbyllën librin më të dashur të shkronjave shqipe, abetaren. Për këtë është organizuar një festë në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijeve të qytetit të Durrësit, që pati mjaft entuziazëm fëmijëror. Në këtë ditë të shënuar fëmijët e vegjël ndihen krenarë për mësimin e shkronjave, pasi kanë përmbushur misionin e tyre kryesor të klasës së parë. Ata kanë festuar me këngë, valle, recitime.
Ndiqni vogëlushët në videon e mëposhtme:
K.H.