Në galerinë e arteve pamore “ Nikolet Vasija”  të qytetit të Durrësit piktorja nga Tirana, Anita Duriçi ka çelur një ekspozitën e saj të 4-t  me 37 piktura të përzgjedhura nga punimet e saj më cilësore, që ka realizuar ndër vite, ku bien në sy portrete, natyra të qeta, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të kësaj ekpozite. 

Ajo e ka nisur herët rrugëtimin e saj në artin tërheqës të pikturës dhe tashmë ka fituar personalitetin e saj si piktore e njohur. Duriçi thotë se ajo  aplikon në artin e saj një përzierje rrymash mes impresionizmit dhe modernizmit dhe se forca e saj mbeten ngjyrat e veçanta. Kritika artistike ka vlerësuar se imazhet që piktorja e re sjell, të japin  ndjesi të forta emocionale mbi sendet më të dashura, që vijnë nga koha e saj e fëmijërisë, por që enden të lira dhe komunikojnë me kujtesën e saj.

Gjallëria dhe kontrasti i ngjyrave të forta e me shkëlqim të vajit përmbushet përmes ekzekutimit ekspresiv në procesin e vizatimit të subjektit, të cilin e veçon dhe i jep vendin kryesor në qendër të tablosë. Piktorja Anita Duriçi ka  lindur në vitin 1987 në Tiranë, në familjen e një artisti, kështu që përpjekjet e saj për të pikturuar janë konsoliduar që kur ishte fëmijë. Ajo ka marrë mësime nga babai i saj për një kohë të gjatë, dhe më pas nga profesorë të ndryshëm. 

K.H.