Për herë të parë në Durrës do të jepet shfaqja “Më fol për dashurinë”, e autorit francez Philippe Claudel, të cilën e sjell sot në mbrëmje në orën 19.00, teatri Dodona i Prishtinës, me regji të Kreshnike Osmanit.
Regjisorja Osmani, në një prononcim për DurrësLajm, tha se kjo shfaqje trajton jetën bashkëshortore të një çifti, të cilët i kanë kaluar të 50-tat, moshë kjo që iu sjell plot sfida e konflikte.
“Ata nuk përputhen me njëri-tjetrin. Këtë shfaqje e kam pozicionuar pak më ndryshe, duke i vendosur çiftet në një spital psikiatrik, mbase edhe për shkak të gjuhës që nuk ngjan me një familje të shëndoshë”,ka thënë ajo.
Në shfaqjen “Më fol për dashurinë” luajnë aktorët Besnike Arifi dhe Bashkim Alaj, të cilët u shprehën mjaft të lumtur për bashkëpunimin me regjisoren Osmani. Regjisorja e re ju bëri thirrje artdashëve durrsakë të ndjekin shfaqjen, e cila është planifikuar për t’u shfaqur të shtunën dhe të dielën në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Shfaqja: “MË FOL PËR DASHURINË”
Teksti: Philippe Claudel
Regjia: Kreshnike Osmanii
Luajnë: Besnike Arifi, Bashkim Alajj
Kostumografia: Samka Ferri
Skenografia: Burim Arifi, Blendina Xhemaa
Muzika: Arbër Krasniqi
Ndriçimi: Skender Latifi
Punëtorë skene: Bedri Maloku, Fadil Bekteshii, Albert Gashi
Dizajni: Faton Hasimja
K.H.