Rreth 800 fëmijë të 64 shkollave nëntë vjeçare të Durrësit, kanë marrë pjesë në aktivitetin “Java olimpike në shkolla” e cila konsiston në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në lojërat e ndryshme sportive dhe në aktivitetin sportiv.

Për gati tre orë, 800 fëmijët kanë performuar në ushtrime të ndryshme aerobike sportive etj, të ndarë në grupe me 10 apo 15 nxënës sipas shkollave. Ushtrimet janë zhvilluar në shkallët e “Sfinksit” në qytetin bregdetar të Durrësit.

Nga e hëna e kësaj jave  deri të enjten, nxënësit e shkollave të përzgjedhur nga mësuesit e lëndës së aktivitetit fizik, kanë zgjedhur numrat e tyre më të mirë në sporte të ndryshëm me të cilët janë paraqitur në aktivitetin masiv në shkallët e “Sfinksit”. Pjesëmarrës ishin vajza e djem të klasave nga e gjashta deri në nëntën.

Arjan Plaku organizator i këtij eventi tha se aktivitetet masive synojnë përfshirjen dhe nxitjen e fëmijëve në aktivitet sportive e sociale. “Java Olimpike” e Durrësit u organizua falë  bashkëpunimit  të  komitetit Olimpik,  Ministrisë  së Arsimit dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës. Aktiviteti masiv i  radhës “Krosi pranveror”  është  parashikuar të zhvillohet javën tjetër në rrugën e re pranë portit të Durrësit.

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme.

K.H.