Kompanitë lundruese në Durrës dhe agjencitë doganore kanë dhënë alarmin e rënies nga 20 deri në 30%  të punës, si rezultat i radhëve të gjata e vonesave, që po krijohen në portin e Durrësit çdo natë. 10 ditët e fundit, situata ka agravuar për shkak të panikut dhe frikës që ka mbërthyer doganierët dhe policët. Kontrollet dhe skanimi i çdo kamioni para imbarkimit ka bërë që tragetet çdo mbrëmje të nisen me tre deri në katër orë vonesë, duke sjellë jo pak kosto në aktivitetin e tyre.

“Vonesat e trageteve që nisen në Durrës sjellin edhe devijimet e trafikut në Itali”,- deklaroi përfaqësuesi i kompanive të lundrimit Bernard Reso.  

Në portin e Durrësit të gjithë kamionët duhet të kalojnë në të vetmin skaner që ka kompania amerikane koncensionare e këtij shërbimi. Operatorët e biznesit e kanë ngritur shqetësimin edhe tek autoritet doganore dhe policore, por nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje.  E si të mos mjaftonin vonesat e shkaktuara për pasagjerët dhe për transportin e mallrave, porti i Durrësit operon me tarifa portuale shumë më të larta se portet italiane.

Çdo traget që hyn në portin e Durrësit paguan tarifë fikse 4500 euro për ditë, ndërsa në Bari tarifa është 2200 euro. Po njësoj operohet edhe në portet e Ankonës e Triestes, në krahasim me të cilat porti i Durrësit operon me tarifa super të larta.

Vonesat dhe tarifat e larta që rëndojnë në çmimet e biletave të pasagjerëve dhe të transportit të mallrave, rëndojnë direkt si kosto mbi biznesin, i cili në tregun e konkurrencës braktis këtë port, për të operuar në porte të tjera që ofrojnë tarifa të ulëta shërbimi e taksash portuale.

K.H.