*Partitë ndezin motorët e fushatës elektorale në Durrës, PD drejt vetëshkatërrimit
Ndërsa politika shqiptare është e gjitha në ngërç e në krizë, partitë politike e kanë nisur me kohë fushatën elektorale.
LSi-a dhe PDIU-ja po bëjnë namin në rrethin e Durrësit, ku janë zhvendosur gjatë javëve të fundit, jo vetëm deputetë e ministra, por edhe krerët e partive respektive.
Kjo do të thotë se pavarësisht deklaratave që japin se nuk do të bëhen pjesë e zgjedhjeve më 18 qershor, nëse PD nuk futet në zgjedhjet parlamentare, e kundërta ndodh faktikisht në terren.
Në bazë janë hedhur me të gjithë arsenalet që kanë në dispozicion publikisht të tre partitë politike: PS, LSI e PDIU, ndërsa PD-ja i mbledh anëtarët e saj në protesta e në çadër, ku marrin direktivat sepse në bazë nuk ka asnjë takim apo mobilizim.
Ilir Meta ka qenë disa herë në Durrës gjatë javëve të fundit, ashtu sikundër kryeministri Edi Rama me të rinjtë në fund të javës së shkuar, po me të njëjtën ritëm edhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së, raporton “DurrësLajm”.
Të tre forcat politike janë duke u ndeshur në çdo lagje në Durrës, dhe kjo vihet re më së miri, pavarësisht se PD nuk ka ndezuar akoma asnjë motor për fushatë.
Një gjë është e sigurt: në qyetin bregdetar PD në këtë situatë do të katandiset si “kokoshi një thëlë” kur të kujtohet për elektoratin e saj.
Durrësi duket se do të jetë rrethi ku do të përplasin brirët të mëdhenjtë e politikës, sepse LSI e Durrësit pretendon që në krye të listës të jetë Ilir Meta, ndërsa socialistët kanë shprehur dëshirën e tyre që lista në Durrës të kryesohet nga Edi Rama.
Këto forca politike kanë nisur t’i mbajnë shënim një për një zgjedhësit, ndërsa PD e drejtuar nga Oerd Bylykbashi, po merret me politikën e madhe në Tiranë dhe jo me qytetarët e Durrësit, ku numërohet vota një për një, e në konkurrencë të madhe e të ashpër me forcat politike.
Me këtë ritëm një gjë është e sigurt: PD po shkon drejt vetëmbytjes e vetëshkatërrimit të saj.





