Nderi i Kombit Mirush Kabashi është duartrokitur gjatë nga publiku durrsak, gjatë premierës së Koncertit recital “Ah, moj Demokraci” të shfaqur në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Një ndërrmarrje e vështirë edhe kjo, por që ka rezultuar e sukseshme për aktorin e njohur të skenës shqiptare, pas “Apologjisë së Sokratit”, “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” për mesazhet e vërteta që përcjell për shoqërinë shqiptare.
Në këtë recital u paraqit artistikisht mosbesimi i madh ndaj fenomeneve negative me të cilat përballet shoqëria shqipatre, duke i parë ato me optikën e pjesës së shëndoshë të shoqërisë civile.
Recitali është përfgatitur nga autori në vitin 1991, dhe me temën e së cilës do të merrej shumë seriozisht gjatë gjithë karrierës së tij.
Koncerti “Ah, moj Demokraci” mbështetet mbi poezitë e autorëve të mirënjohur vendas: Londo, Bllaci, Spahiu, Taçi, Agolli, Fishta, Noli, Basha, Kadare, Asllani e Naim Frashëri. Bashkë ta, edhe autorë të huaj si Hajne, Rostan, Mek-Artur e Kipling përbëjnë shtyllën poetike të përzgjedhur nga aktori Mirush Kabashi.
Koncerti recital i Mirush Kabashit po përgatitet nën kujdesin e regjisorit Alfred Bualoti dhe skenografit Bujar Kapexhiu, si dhe grupit të teknikës nga Marsel Rupi, Julian Shyti dhe Tristan SherifI.
Aktori Mirush Kabashi që mban titullin “Nderi i Kombit” punon si profesionist që nga viti 1970. Për 23 vjet me radhë ai ka qenë pjesë e trupës profesioniste të teatrit “A. Moisiu” në Durrës. Më pas ka punuar si skenarist, aktor dhe regjisor në RTV Shqiptar, deri në vitin 2013 kur doli në pension në Teatrin Kombëtar Tiranë. Kabashi numëron mbi 100 role në teatër dhe në kinema.
Artisti i parë që lëvroi në skenë monodramën, në vitin e vështirë 1997, një vit më vonë ai fitoi vlerësimin “Sfinksi i artë” mes 1000 aktorësh të huaj, si aktori më i mirë i Festivalit të 9-të Eksperimental në Kajro me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Ai rikthehet në skenën e teatrit të Durrësit në vitin 2009 duke vënë në skenë monodramën “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit”. Dy pjesët e interpretuara nga Kabashi dallohen për mesazhet e fuqishme dhe aktuale.
Aktori Mirush Kabashi mbetet një nga të paktët artistë që vijon të lëvrojë komunikimin e drejtpërdrejtë me shikuesit, kryesisht me anë të poezive të përgjedhura në prag të ngjarjeve të mëdha për kombin shqiptar. Mes tyre përmendim “Poemin kosovar” të Mitrush Kutelit, me të cilën në vitin 1998, së bashku me artistë të tjerë shqiptarë kanë ngritur peshë spektatorët në mbi 50 skena në 16 vende të Evropës.
Koncerti recital “Ah, moj Demokraci” ka premierën në Durrës, jo vetëm si një rikthim në qytetin e tij, por edhe si refleksion për atmosferën e muajve të parë të vitit 1991, kur në qytet mbizotëronin tentativat e para të eksodit me anije, si dhe grahmat e fundit të diktaturës.
K.H.