Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha janë përplasur sërish sot me deklarata në distancë.
Nga Gjirokastra ku ndodhej në një takim me votues të rinj, kryeministri Rama tha se protesuesit e sotëm në çadër (duke iu referuar opozitës) janë protagonistë të trazirave të vitit 1997.
Rama u bëri thirrje mbarë shqiptarëve për të shembur murin e padrejtësisë dhe të mos bien pre e kërkesës për të bllokuar rrugët. “O me Europën o me çadrën”, u tha Rama votuesve të rinj.
Nuk kaluan pak minuta dhe erdhi reagimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili deklaroi se 1997-a për prapanicën e tij nuk do të bëhet më kurrë në Shqipëri.
Deklaratat Rama-Basha:
Edi Rama:
“Prindërit tuaj kurrë nuk duan të përsëritet historia e vitit 1997. Ata që janë sot të ngujuar në çadër janë protagonistët e asaj historie. Janë ngujuar për një arsye shumë të qartë. Kanë frikë të pangushëllueshme nga drejtësia. Ajo frikë i ka çuar të mbyllen në çadër e të zënë bulevardin qytetarëve të Tiranës. Sot jemi këtu që Shqipërisë e shqiptarëve jo vetë të mos lejojmë t’u përsëritet historia tragjike e 1997-s, por edhe të mos lejojmë që t’u mbyllet rruga e drejtësisë”.
Lulzim Basha:
“Propaganda e Edi Ramës synon të trembë shqiptarët. Sot na flet për 1997-n dhe thotë që këtu janë ata që bëjnë 1997-n. Në fakt i ka në krah. Me Gramoz Ruçër e me shokë i ka në krah. Shumica e tyre që shikon këtu as nuk kishin lindur. Një gjë ta kesh të qartë: që 1997-a për prapanicën tënde nuk do të bëhet më kurrë në Shqipëri”.





