Ora 11:00 e së hënës pritet t’i gjejë demokratët, simpatizantët e Partisë Demokratike dhe aleatëve opozitarë në disa akse rrugore, për bllokimin total të trafikut kombëtar.

Një ditë pasi opozita e bashkuar vendosi të përshkallëzojë protestën e saj, “BalkanWeb” ka zbardhur disa nga akset kryesore ku do të zbarkojnë opozitarët ditën e parë të javës.

Për një orë do tentohet bllokimi i qarkullimit në autostradat që lidhin Tiranën me Veriun, Jugun dhe Juglindjen e vendit.

Përkatësisht rrethrrotullimi i Fushë-Milotit dhe aksi rrugor Fushë Krujë-Tiranë, akset hyrëse drejt kryeqytetit, si sheshi “Shqiponja” dhe Rruga e Elbasanit përfshirë edhe tunelin e Elbananit, do të tentohet që të ndalohet qarkullimi. Protestuesit pritet të bllokojnë edhe aksin Lushnjë-Fier, për të mos lejuar levizjen e automjeteve rreth orës 11:00 deri në 12:00.

Kjo nuk është hera e parë që demokratët përdorin këtë formë të mosbindjes civile. Të njëjtin skenar Partia Demokratike e zbatoi dy vite më parë, kur i angazhoi qytetarët në një protestë kundër taksave të larta në kryeqytet, duke i kërkuar të bllokonin qarkullimin për pesë minuta. Ndryshe nga dy vite më parë është kërkuar një hark kohor më i gjatë. Kjo skemë e akseve ku do të tentohet bllokimi i qarkullimit nuk është përfundimtare, raporton “BalkanWeb“. Të dielën pritet të ketë një vendim përfundimtar nga ana e opozites.

DISA NGA AKSET QË DO TË BLLOKOJË OPOZITA TË HËNËN

1. Superstradën që lidh Tiranën me Shkodrën (rreth-rrotullimin në Fushë Milot)

2. Autostrada në zonën e Fushë Krujës

3. Sheshin Shqiponja në Tiranë

4. Aksin Lushnjë-Fier (rreth-rrotullimin e Plugut)

5. Tuneli i Elbasanit ( edhe zona e Rrugës së Elbasanit)