Panairi i librit është hapur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për të qënë më afër të rinjve, studentëve.
Në ambientet e Kampusit Universitar “Aleksandër Moisiu”, në Spitallë, për një ditë të vetme është organizuar Panairi I Librit.
Ky organizimi vjen për herë të parë nga Fakulteti i Edukimit në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Librit.
“Synimi është të ofrojmë studentët me librin, për t’i bërë miq të pandarë në rrugën e tyre të studimit, por njëkohësisht edhe për të ofruar për studentët shumëllojshërinë e teksteve që ata nuk kanë mundësi në të përditshmen e tyre t’i sigurojnë” tha organizatorja e këtij panairi, Marisa Kerbizi.
Sipas lektores Kerbizi, studentët e edukimit në UAMD janë lexues të mirë të librit. Mesazhi i lektores është se “libri është mënyra më e mirë për të njohur vetveten”.
Panairi i Librit në Kampusin Universitar ofroi për studentët shumëllojshmëri zhanresh letrare nga autorë të vendit dhe jo vetëm.
K.H.