Në 22 prill, qytetarët durrsakë e më gjerë kanë mundësinë të ndjekin shfaqjen “Arratisje”, të Keti Bashhysës, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. “Shfaqja zgjat vetëm një natë, sepse një natë nuk harrohet lehtë”,- thotë autorja e cila në çdo shfaqje të saj na surprizon me performancat e ndryshme në violonçel, aktrim, këngë e duke guxuar fort edhe në balet.

Me regji të Mimoza Marjanakut, skenografi të mjeshtrit Avni Delvina, kostumografi të Linda Fejzajt, skenar të Ina Gjonçit dhe me pjesëmarrjen e veçantë të kantautorit Elton Deda, Keti Bashhysa do të dhurojë një spektakël të vërtetë më datë 22 prill 2017, ora 19:00. Keti Bashhysa  ka zgjedhur një repertor mjaft të veçantë për t’u "arratisur" me publikun, edhe këtë vit.

Shfaqja zgjat më shumë se një orë dhe i ftuar special do të jetë kantautori Elton Deda. Keti thotë se një tjetër personazh special do të jetë pjesëmarrës në “Arratisje” por surprizën e lë enigmë për natën e premierës.

Këngëtare, balerinë, aktore, gazetare, instrumentiste, mësimdhënëse, moderatore,  Keti Bashhysa për të gjashtin vit me radhë sjell një shfaqje, që asnjë prej artistëve shqiptarë deri tani nuk ka arritur ta konkretizojë si ajo.  Të gjithë artdashësit kanë mundësi që ta ndjekin shfaqjen ditën e shtunë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Shitja e biletave tashmë ka filluar dhe ato mund të gjenden pranë Teatrit, “Aleksandër Moisiu”, në oraret 09:00 – 13:00 dhe 16:00 – 19:00. 

K.H.