Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një video në profilin e tij në “Facebook”, në të cilën sipas tij, një tren i mbushur me plehra të importuara, po largohet nga Durrësi.
Pavarësisht se nuk është shumë e qartë në video se me çfarë është i ngarkuar treni i mallrave, Berisha akuzon qeverinë për import plehrash.
“Treni i mbushur me plehra të importuara po largohet nga porti i Durrësit. Ligji për importin e plehrave është rrëzuar nga Presidenti i Republikës, por për kryekumbarën e qeverisë shqiptare ligji i tij është plehu dhe xhepi”, shkruan Berisha.
Ndërkohë, burime nga Hekurudha thanë për “DurrësLajm” që gjatë kësaj jave, dy anije me skrap kanë mbërritur në portin e Durrësit. Skrapi është duke u shkarkuar në kalatën lindore dhe transporti kryhet për llogari të kompanisë “Kurum”, nga porti i Durrësit në Metalurgjikun e Elbasanit.





